Sport Shqiptar

Prishtina 01 e fiton Kupën e Kosovës në futsall

Skuadra e futsallit Prishtina 01 e ka fituar Kupën e Kosovës.

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, kryeqytetasit e udhëhequr nga trajneri Haki Ahmeti, mposhtën në finale Liqenin e Drenasit me rezultatin 2:0.

Për Prishtina 01 ishte triumfi i dytë në garën për Kupë të Kosovës në futboll të sallës. Për herën e parë Kupën e kishte fituar para tre vjetësh.

Pjesa e parë nuk ofroi gola për të pranishmit. Ndërkohë, golat e fitores për ekipin prishtinas erdhën në dhjetë minutat e fundit të takimit. Ramadan Alaj shënoi për 1:0 pas një kundërsulmi të shpejtë. Më pas Ermir Kryeziu nga afërsia e konkretizoi në gol aksionin e ndërtuar mirë. Në të dy golat asistues ishte Halim Selmanaj.

Finalja është përcjellë nga numër i konsiderueshëm shikuesish.

/Shqip.com