Lajme

Prindon Sadriu reagon rreth shpenzimeve për udhëtime: Po tentoni ta njollosni punën e Presidentes

Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriu.
Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriu.

Kuvendi i Kosovës ka publikuar të martën shpenzimet e udhëtimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për periudhën 2011-2021.

Pjesë e listës së shpenzimeve të udhëtimit ishte edhe presidentja, Vjosa Osmani sa ishte deputete në parlamentin e Kosovës.

Për këtë çështje, ka reaguar bashkëshorti i Osmanit, Prindon Sadriu i cili ka hedhur akuza ndaj politikanëve të qeverive të kaluara për shpenzime enorme në shtete të jashtme.

Poashtu, ai ka hedhur akuza ndaj gazetarëve të cilat i quan ‘gazetarë të parapolitikës”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, ka shkruar Sadriu në “Facebook”.

Ilustrim

Ai ka thënë se me këto publikime po mundohet të “njolloset puna e Presidentes”.

“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qepues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes!”, përfundon ai.

Sipas raportit, Osmani ishte kompenzuar nga Kuvendi nga viti 2011 deri në 2015.

Ndërsa, që nga viti 2015 deri në vitin 2020 e para e vendit nuk kishte marrë asnjë të hollë nga ky institucion.

Osmani i kishte marrë 380 euro në periudhën nëntor – dhjetor të vitit 2011. Kurse, për janar-dhjetor 2012, shpenzimet i kishte 1,780 euro, për periudhën janar-dhjetor 2013, shpenzimet ishin 1,240 euro. Për periudhën janar-dhjetor 2014, shpenzimet ishin 520 euro.

Shpenzimet e deputetëve mund t’i gjeni KËTU./Shqip.com