Kulturë Kino

“PriFest” shënon edicionin e 14-të me kinematografinë shqiptare

PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit këtë vit shënon edicionin e 14-të.

Ky edicion do të nis dhe do të përfundojë me shfaqjen e filmave shqip.

Festivalin do ta fillojë “Vera andrron detin” dhe do ta përmbyll “Virgjëresha shqiptare.

“Jemi të lumtur që sikurse edhe në hapje të PriFest-it me filmin ‘Vera andrron detin’, edhe në mbyllje do të kemi film në gjuhën shqipe, për më shumë edhe me pjesëmarrje të madhe të filmbërësve nga Kosova. E kemi thënë shumë herë, promovimi dhe përkrahja e filmave vendor dhe filmbërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit” thuhet në njoftim.

Filmi “Albanian virgin” në regji të Bujar Alimanit është filmi që do të mbyll edicionin e 14-të të PriFest.

Ngjarja e filmit është e vendosur në Shqipërinë e vitit 1958: Luana është një grua me vullnet të fortë dhe rebele dhe e bija e një burri të respektuar.

Një martesë e aranzhuar e detyron atë të mohojë dashurinë e saj për Agimin.

Ndërkaq, “Vera andrron detin”, me regji të Kaltrina Krasniqit, shtjellon një temë shumë të rëndësishme lidhur me pronën dhe të drejtat e grave në pronë.

Vera, një grua në moshë mesatare, detyrohet të ballafaqohet me realitetin e çështjeve gjinore me rrënjë të thella kur, pas vetëvrasjes së bashkëshortit të saj, fillojnë të shfaqen fijet e një skemës së nëntokës.

PriFest mbahet nga 20-25 shtator, për herë të parë pa drejtoreshën e festivalit Vjosa Berisha e cila ndërroi jetë me 23 qershor të këtij viti. Ky edicion do të jetë në kujtim dhe nderim të saj.