Kulturë Kino

PriFest do të hapet me premierën e filmit “Vera Andrron Detin”

Filmi Kosovar ‘Vera andrron detin’ në regji të Kaltrina Krasniqit është filmi që do të hap edicionin e 14-të të PriFest.

‘Vera andrron detin’ pati premierën botërore vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Venedikut, dhe është shfaqur me sukses tanimë në 20 festivale në mbarë botën në konkurrencë zyrtare.

Filmi ka fituar 6 shpërblime të rëndësishme, nga të cilat edhe çmimin filmi më i mirë në festivalin prestigjioz të Tokios.

“Është bërë traditë tanimë që PriFest-in t’a hapim me një premiere të filmit nga Kosova. Na gëzon fakti që filmi të cilin e promovuam në edicionin e vitit të kaluar teksa po përgatitej për Venedik dhe i cili ka qenë pjesë e best pitch, do ta sjellim për publikun Kosovarë në PriFest”, ka thënë Vjosa Berisha, drejtore e PriFest-it.

Tutje, ajo ka thënë se promovimi dhe përkrahja e filmave vendor është një nga objektivat kryesore të festivalit.

Filmi ‘Vera andrron detin’ shtjellon një temë shumë të rëndësishme lidhur me pronën dhe të drejtat e grave në pronë.

Vera, një grua në moshë mesatare, detyrohet të ballafaqohet me realitetin e çështjeve gjinore me rrënjë të thella kur, pas vetëvrasjes së bashkëshortit të saj, fillojnë të shfaqen fijet e një skemës së nëntokës.

Filmi ‘Vera andrron detin’ është bashkëprodhim mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit dhe do të mbahet në data 26-31 korrik.