Kulturë

Bajram Kosumi rrëfen mbi “Enciklopedinë imagjinare”

Prezantohet romani “Enciklopedia imagjinare” i shkrimtarit Bajram Kosumi
Prezantohet romani “Enciklopedia imagjinare” i shkrimtarit Bajram Kosumi

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, ka qenë i pranishëm në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit ku është zhvilluar një takim letrar mbi librin e tij “Enciklopedia imagjinare”.

Libri ka nisur në qelitë e Nishit dhe ka përfunduar në Prishtinë në 2022. Në vitin 1985, Bajram Kosumi, ishte një i burgosur politik 25-vjeçar, në qytetin serb të Nishit, ku po vuante dënimin për pjesëmarrje në një protestë të studentëve shqiptarë për më shumë autonomi për Kosovën brenda Jugosllavisë.

Kosumi mësoi përmendësh idetë për atë që pothuajse katër dekada më vonë do të rezultonte të ishte një roman eksperimental prej 770 faqesh. Më herët Bajram Kosumi ka deklaruar se, libri nisi fillimisht si një ide, jo në letër, sepse për katër vitet e para të dënimit, atij nuk iu lejua asnjë letër apo stilolaps në qelinë e tij, kështu që ai vendosi të fokusohej në fjalë dhe fraza që përfaqësonin ide që ai mund t’i zhvillonte më vonë.

Këtë libër, botuesi e ka vlerësuar me termin “postroman” dhe si një eksperiment me elemente shkencore dhe letrare. “Enciklopedia imagjinare”, sipas vetë autorit është një zhanër i ri letrar, midis mendimit shkencor dhe anës artistike e imagjinare, që merr përsipër të shpjegojë ngjarje dhe veçanti kulturore të shqiptarëve.

Ky është romani i parë i Bajram Kosumit, megjithëse ai ka shkruar pothuajse një dyzinë librash të tjerë mbi gazetarinë, poezinë dhe përvojat e tij në burg.

Gjatë luftës midis forcave jugosllave dhe UÇK-së, Kosumi ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Paqes në Rambuje, në shkurt 1999.

Pas përfundimit të luftës, Partia Parlamentare e Kosumit u bashkua me partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt. Kosumi u bë kryeministër për një vit në 2005-2006, më pas shërbeu si deputet para se të fillonte një jetë akademike si profesor universiteti. Vetëm atëherë ai e përfundoi projektin e librit që nisi shumë vite më parë në burg. /atsh

/Shqip.com