Sport Ndërkombëtar

Prezantim si në ëndërr për Messin (VIDEO)

Lionel Messi është prezantuar te skuadra Inter Miami, duke nisur kështu kapitullin e tretë pas Barcelonës dhe PSG-së. Koha e keqe që kishte pushtuar Miamin dhe që shtyu me një orë ceremoninë zyrtare të prezantimit nuk ka penguar mijëra fansa të zbarkojnë në këtë event të veçantë.

Në ceremoninë e prezantimit të argjentinasit ishte e pranishme edhe bashkëshortja e tij Antonella, që kishte veshur një fustan ngjyrë rozë, ngjyra e skuadrës së Inter Miami. Natyrisht, nuk mund të mungonin edhe tre djemtë e Messit. Kampioni i botës i tha edhe fjalët e para.

“Dua të falënderoj të gjithë njerëzit e Miamit për këtë mirëpritje të ngrohtë. Dua t’iu falenderoj për ngrohtësinë e shfaqur, jam shumë i lumtur të jem këtu. Falënderoj pa masë Jose Mas dhe David Beckham për mikpritjen. E kanë bërë gjithçka të duket e lehtë, gjithçka ka qenë spektakolare për mua dha familjen time në këto ditë të para në Miami. Tani dua të fitoj në mënyrë që edhe klubi të rritet më shumë”, u shpreh Messi.

Për çudi, klubi anuloi pa dhënë asnjë shpjegim konferencën e shtypit që ishte planifikuar pas ceremonisë së prezantimit. Në këtë ceremoni, Messi u tregoi fansave fanellën e tij të re me numrin 10, ndërkohë që shoqërohej nga drejtuesit e klubit, përfshirë edhe David Beckham, i cili tha:

“Ëndrra bëhet realitet. Kapitulli tjetër i historisë sonë fillon këtu. Dhjetë vjet më parë kur fillova këtë rrugëtim, ëndërroja të sillja lojtarët më të mëdhenj në botë në Miami. Dhe ja, tani kemi më të mirin e botës.”

/Shqip.com