Lajme

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion nga Këshilli Atlantik

Pamje nga takimi i zhvilluar në presidencë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion nga Qendra për Evropë e Këshillit Atlantik (Atlantic Council) të udhëhequr nga Jörn Fleck, drejtor i lartë.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, hapat e mëtejmë në integrimin e Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, dialogun me Serbinë, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me Këshillin Atlantik.

Duke folur për zhvillimet aktuale gjeopolitik në Evropë, Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë, ndërsa tha se integrimi i plotë i Kosovës në institucionet euroatlantike bashkë me shtete tjera demokratike të rajonit është jetik për të arritur këtë qëllim.

Tutje, e para e shtetit foli për rolin konstruktiv dhe qasjen proaktive të Kosovës në dialogun me Serbinë, si dhe koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Republikës me aleatë dhe partnerë ndërkombëtarë. Presidentja ka ritheksuar rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe mbrojtjes së funksionalitetit të shtetit në çdo hap.

Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për forcimin e partneritetit në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara si dhe thellimin e bashkëpunimit me programe të ndryshme të Këshillit Atlantik.

/Shqip.com