Lajme

Presidentja Osmani kujton Rugovën: Udhëheqja e tij është shembull e model

Presidentja Osmani e ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 78-të të ditëlindjes.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “Rugova ishte njeriu i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë”.

“Sot shënojmë 2 dhjetorin, ditën e lindjes së Presidentit të parë, historik, të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë. Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj.

Me urti e dije të pashoqe, ai arriti ta artikulonte politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë, në tokën e tyre e në shtetin e tyre.

“Udhëheqja e tij është shembull e model të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë e me të cilin duhet të mishërohemi, në mënyrë që vizionin e Presidentit Rugova për shtet ta bëjmë edhe më kuptimplotë, duke e jetësuar çdo ditë atë”, ka shkruar Osmani.

/Shqip.com