Sport Shqiptar

Presidentja Osmani kërkon nga India ta rishqyrtojë vendimin për Donjeta Sadikun

FOTO: Donjeta Sadiku
FOTO: Donjeta Sadiku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve indiane që kanë penguar pjesëmarrjen e boksieres sonë, Donjeta Sadiku në Kampionatin botëror të boksit, që do të mbahet në Indi.

“Vendimi që Donjeta Sadiku të mos marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit është shkelje flagrante e standardeve ndërkombëtare sportive. Si anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA), Kosova ka të drejtë të marrë pjesë nën flamurin dhe himnin e saj. Ne i bëjmë thirrje Indisë të rishqyrtojë vendimin e saj”, ka shkruar presidentja Osmani në “Twitter”.

India është vend i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, derisa edhe në vitet e kaluara ka vendosur pengesa për sportistët kosovarë, duke mos i pajisur me viza hyrëse. Kësaj radhe autoritetet indiane kanë lëshuar pe sa i përket pajisjes me vizë hyrëse për delegacionin e Kosovës, por më pas paraqitjen e boksieres Donjeta Sadiku në Botëror e kanë kushtëzuar me mos shfaqjen e flamurit të Kosovës dhe asnjë simboli tjetër shtetëror. Një kusht i tillë ka qenë i papranueshëm për drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës, të cilët në koordinim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport kanë vendosur që të mos pranojnë paraqitjen në Botëror me një diskriminim të tillë.

/Shqip.com