Lajme Botë

Presidentja e Moldavisë akuzon Rusinë për grusht shtet

Presidentja e Moldavisë Maia Sandu - AP Photo

Presidentja e Moldavisë Maia Sandu akuzoi Rusinë se po përgatitë një komplot për të përmbysur me dhunë lidershipin pro-evropian të vendit, në mënyrë që të ndalojë Moldavinë të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe ta përdorë atë në luftë kundër Ukrainës.

Sandu i bëri këto komente pasi presidenti ukrainas Volodymir Zhelenski tha javën e kaluar se vendi i tij kishte zbuluar një plan të shërbimeve sekrete ruse “për shkatërrimin e Moldavisë” disa ditë pasi qeveria moldave dha dorëheqjen.

Sipas presidentes Sandu, plani i Moskës përfshinte “diversantë” të përgatitur ushtarakisht, të kamufluar me rroba civile, që do të ndërmerrnin veprime të dhunshme, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe marrjen e pengjeve.

Nën maskën e “protestave të organizuara nga e ashtuquajtura opozitë”, diversantët do të synonin “të rrëzonin rendin kushtetues dhe të zëvendësonin pushtetin legjitim në Kishinau me një të paligjshëm”, u tha Sandu gazetarëve.

Krahas forcave të brendshme Moska planifikon të përdorë edhe shtetas të huaj nga Rusia, Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi për të organizuar grushtin e shtetit, tha Sandu.

Prandaj, parlamentit të Moldavisë do t’i duhet “të miratojë shpejt” ligjet që do t’u ofrojnë Shërbimit Sekret dhe atij të Sigurisë si dhe prokurorëve “mjetet e nevojshme për të luftuar në mënyrë më efikase kundër kërcënimeve të sigurisë kombëtare”.

SHBA i quajti “thellësisht shqetësuese” njoftimet për një komplot rus për të përmbysur qeverinë moldave.

Zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se pretendimet për komplot nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, por se “sigurisht ato nuk janë jashtë mënyrës së sjelljes nga Rusia”, raporton The Washington Post.

Ai shtoi gjithashtu se “SHBA është absolutisht krah qeverisë moldave dhe popullit moldav”.

/Shqip.com