Lajme

Presidenti ukrainas do të vizitojë Berlinin më 13 maj

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski. Foto: DW
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski. Foto: DW

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, do të vizitojë Berlinin më 13 maj. Këtë e bëjnë të ditur disa media duke iu referuar policisë së Berlinit.

Sipas gazetës “Tagesspiegel”, një zëdhënëse e policisë tha se tashmë kanë nisur përgatitjet, por nuk ka dha më shumë detaje për masat e planifikuara të sigurisë.

Zelenski ndoshta duhet të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit kryesor të kryeqytetit gjerman, sipas zëdhënëses. Qeveria federale dhe Ukraina nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht vizitën dhe programin.

Sipas gazetës “Berliner Zeitung” Zelenski pritet të qëndrojë në hotelin Ritz-Carlton. Për shkak të vizitës, rreth Potsdamer Platz, ku ndodhet hoteli pritet të zbatohet niveli më i lartë i sigurisë.

Është planifikuar një operacion policor me barriera, kontrolle identiteti, snajperë dhe qen zbulues të eksplozivëve. Më 14 maj, është planifikuar që ai të pritet zyrtarisht me nderime ushtarake nga kancelari Olaf Scholz.

Në plan është edhe një pritje nga Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Më pas Zelenski do të shkojë në Ahen, ku do të nderohet me çmimin e Karlit të Madh, raporton DW.

Zelenski dhe Scholz, 16.06.2022. Foto: Reuters

Vizita e parë në Gjermani që nga fillimi i luftës

Sot Zelenski mbërriti për një vizitë të palajmëruar në Finlandë. Ai po merr pjesë në një samit të vendeve nordike atje, njoftoi presidenca finlandeze. “Ukraina është faktikisht anëtare e NATO-s”, tha Zelenski sipas informacioneve në këtë takim.

Sipas raportimeve, Zelenski është planifikuar të takohet me presidentin finlandez Sauli Niinisto, kreun e shtetit të anëtarit më të ri të NATO-s, në lidhje me “luftën e mbrojtjes ukrainase” dhe “marrëdhëniet dypalëshe” midis dy vendeve.

Takimi me Scholz-in në Berlin do të ishte vizita e parë e Zelenskit në Gjermani që nga fillimi i luftës. Muajt e fundit, Zelenski ka vizituar ndër të tjera Londrën, Parisin, Brukselin dhe kryeqytetin amerikan, Uashington.

/Shqip.com