Lajme Ballkan

Presidenti ri i Malit të Zi: Për mua Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht

Jakov Milatovic

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, i pyetur nga mediat kroate për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka thënë qartë se nuk ka tërheqje të njohjeve.

Për më tepër sipas tij, Kosova është një vend i njohur ndërkombëtarisht.

I pyetur nëse Mali i Zi do të bëjë një hap prapa nga njohja e Kosovës, Milatoviç ka theksuar se kjo është një situatë që ka përfunduar, sa i përket Malit të Zi.

“Sipas meje, Kosova është një vend i njohur ndërkombëtarisht”, tha Milatoviç.

Kujtojmë se, Jakov Milatoviç ka fituar balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, duke e mundur presidentin pro-perëndimor Milo Gjukanoviç.

Milatoviç fitoi rreth 60% ndërsa Milo Gjukanoviç fitoi rreth 40%, sipas parashikimeve të lëshuara nga Qendra për Monitorimin dhe Kërkimin e Zgjedhjeve.

/Shqip.com