Lajme

Presidenti Krasniqi priti karateisten e suksesshme, Rinesa Osmani

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka pritur sot karateisten Rinesa Osmani, pas suksesit të arritur në Ligën e të Rinjve, të mbajtur në Venecia të Italisë, njofton Komiteti Olimpik i Kosovws, shkruan Shqip.com.

Rinesa fitoi medaljen e artë në grupmoshën juniore, kategoria -59 kg. Deri tek medalja, ajo fitoi gjashtë luftëra.

Osmani shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi, trajneri Isak Curri dhe kryetari i klubit Fushë Kosova, Bashkim Ibrahimi.

Presidenti Krasniqi përgëzoi Rinesën dhe ekipin e saj për suksesin e arritur, duke i uruar vazhdimësi të tillë edhe në garat e ardhshme ndërkombëtare.

Nga ana e saj, Rinesa u shpreh optimiste se Kosovën dhe sportin e karatesë do të mundohet që me punë dhe disiplinë t’i përfaqësojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Falënderues për pritjen u shprehën edhe drejtuesit e federatës dhe klubit, të cilët vlerësuan lartë sukseset e Rinesës, të cilat nuk janë të parat.

Krahas medaljes së artë, Rinesa edhe në Botërorin e këtij viti, kishte shënuar sukses, duke zënë vendin e pestë në grupmoshën juniore.

Momentalisht, ndodhet e katërta në renditjen botërore, ndërsa me suksesin e arritur në Ligën e të Rinjve, pritet të dalë në vendin e parë në grupmoshën dhe kategorinë e saj.

/Shqip.com