Lajme Ballkan

Presidenti i KE-së: Po shpejtohet procesi i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në këtë fillimvit ka mbajtur një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kryefjalë e tyre ishte lufta në Ukrainë dhe se si shtetet anëtare të BE-së dhe ato të Aleancës duhet të qëndrojnë bashkë kundër agresionit rus në Ukrainë.

Në fjalën e tij, Michel përmendi edhe Ballkanin Perëndimor dhe përsëriti zotimin për përshpejtim të procesit të zgjerimit.

“Ne po forcohemi. Ne po përshpejtojmë procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe morëm vendimin historik për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë dhe perspektivën europiane për Gjeorgjinë”, ka thënë ai në konferncë.

Ai tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës i ka afruar BE-në dhe NATO-n.

“Në fakt, sot jemi më afër se kurrë. Të dyja organizatat tona kanë rritur së fundmi ambicien tonë duke përmirësuar strategjitë tona për sigurinë tonë të ardhshme. Organizatat tona janë plotësuese – NATO mbetet themeli i mbrojtjes kolektive dhe thelbësor për sigurinë euroatlantike. Dhe BE-ja është e vendosur të kontribuojë në mënyrë më efektive për sigurinë globale dhe transatlantike”, ka theksuar Michel.

/Shqip.com