Lajme

Presidenti i KE-së: Kosova të fokusohet në përparimin e dialogut me Serbinë

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se Kosova duhet të jetë e fokusuar në përparimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Michel në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, tha që gjithashtu duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet.

“Angazhimi i fortë i Kosovës duhet të jetë i fokusuar në përparimin e dialogut Prishtinë – Beograd  dhe të zbatohen të gjitha marrëveshjet”, u shpreh ai.

Michel tha gjithashtu që është për t’u përshëndetur qëndrimi i Kosovës për vendosjen dhe implementimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Është një moment urgjencë për Evropën sepse derisa po flasim, Rusia vazhdon ta sulmojë Ukrainën. Dua të ju falënderoj presidenten Osmani dhe autoritetet e Kosovës, për pozitën e qartë ndaj luftës në Ukrainë dhe për implementimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”.

Lexo edhe:
Osmani: Përkushtimi i Kosovës për t’iu bashkuar BE-së është i palëkundur

“Kosova poashtu ka shfaqur solidaritet me Ukrainën dhe e di që lufta ka impakt në rajon, përfshirë Kosovë, në çmime të ushqimeve dhe energjisë”, tha ai.

Ai shprehu mbështetjen e vazhdueshme të BE-së ndaj Kosovës.

Më tej tha se Ballkani Perëndimor është prioritet strategjik për BE-në.

“Ne patëm mundësinë që të diskutojmë marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës. Ballkani Perëndimor është prioritet strategjik, dhe mirëpresim fokusin e juaj në implementimin e reformave në sundimin e ligjit”, ka thënë Michel.

Michel përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se për këtë proces vendosin vendet e BE-së, derisa i bëri thirrje Kosovës që të bashkohet në nismat rajonale.

“Kemi folur edhe për liberalizimin e vizave, kam dëgjuar argumentet me kujdes. E dini që shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin një nga një në këtë çështje. Dëshiroj që Kosova të marrë pjesë në forumet regjionale, dhe të implementoj të gjitha agjendat për një treg të përbashkët regjional”, tha Michel.

Presidenti i Këshillit Evropian tutje shtoi se angazhimi i Kosovës duhet të jetë i fokusuar në përparimin dialogut Prishtinë-Beograd, si dhe në implementim të të gjitha marrëveshjeve që janë nënshkruar më parë./Shqip.com