Kulturë

Presidenti gjerman, Steinmeier: Trajtimi i së shkuarës, i rëndësishëm për të ardhmen e demokracisë

Pas një vizite në Muzeun e “Gjethit”, ish seli e përgjimeve në diktaturë, presidenti federal gjerman Frank-Walter Steinmeier gjatë vizitës së tij në Shqipëri mori pjesë përreth 60 minuta, në një raund diskutimi mbi temën e trajtimit të së shkuarës komuniste në vendin tonë, raporton Balkanweb.

Në takimin e moderuar nga pedagogia Jonila Godole, drejtuese e IDMC dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë të kujtesës në vend, historianë e ish të përndjekur politikë, që rrëfyen përvojat e tyre të survejimit e mungesën e drejtësisë edhe pas rënies së regjimit, bundespresidenti, foli për përvojën e Gjermanisë në ballafaqimin me dy ekstremet e diktaturave.

I pyetur për qasjen e përballjes me të shkuarën, si një shtet në proces negociatash me Bashkimin Europian, ai e vuri theksin te rëndësia që e shkuara ka për çdo vend.

“Trajtimi i të shkuarës është i rëndësishëm edhe për një vend që është në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe për vende të tjera; e ardhmja e demokracisë do të ishte e fuqishme vetëm nëse do të mund të përballemi me të shkuarën tonë. Në pozicion më të mirë janë ato vende që janë përballur me të shkuarën.

Ka pasur disa që nuk e kanë bërë, por ne në Gjermani, jemi përballur, e kemi trajtuar të shkuarën. Unë dëgjova pjesëmarrësit, në fund nuk rezulton se është pyetja nëse shteti do të merrte përgjegjësinë për këtë çështje por do të ishte një lojë alternuese, me role që ndërrohen.

Pra një shtet që merr një lloj përgjegjësie por edhe shoqëria që merr përsipër sfidën e trajtimit të së shkuarës”, ka deklaruar Frank-Walter Steinmeier.

/Shqip.com