Lajme Botë

Presidenti amerikan pret në Shtëpinë e Bardhë homologun nga Kosta Rika

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe udhëheqësi nga Kosta Rika, Rodrigo Chaves. Foto: AP
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe udhëheqësi nga Kosta Rika, Rodrigo Chaves. Foto: AP

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, priti të martën në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësin e Kosta Rikës, Rodrigo Chaves, për të diskutuar mbi sfidat aktuale dhe afatgjata mes dy vendeve. Në takim u diskutua mes të tjerash, mbi pasojat që ka sjellë emigrimi i paligjshëm në shtetin e vogël të Amerikës Qendrore, si dhe sfidat që paraqesin ambiciet globale të Kinës, të mbështetura tek shfrytëzimi i teknologjisë së gjysmëpërçuesve.

Presidenti amerikan, Joe Biden, theksoi gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë se Shtetet e Bashkuara dhe Kosta Rika i kanë forcuar marrëdhëniet mes tyre.

“Më shumë se një vit më parë, së bashku me partnerët e rajonit nënshkruam në Kaliforni Deklaratën e Los Anxhelosit për Migrimin dhe Mbrojtjen. Që nga ajo kohë, ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme, jeni treguar një partner i shkëlqyer”, i tha Presidenti Biden homologut nga Kosta Rika, Rodrigo Chaves.

Presidenti i Kosta Rikës u bëri jehonë fjalëve të ngrohta të udhëheqësit amerikan.

“Kosta Rika ka qenë dhe do të mbetet një nga aleatët më të fortë në botë për sa i përket interesave tuaja ekonomike dhe të sigurisë, që janë edhe interesat tona”, tha Presidenti Rodrigo Chaves.

Shtëpia e Bardhë thotë se të dy vendet ndajnë pikëpamje ideologjike të ngjashme.

“Kosta Rika luan një rol udhëheqës rajonal. Është një demokraci e fortë me një ekonomi të begatë dhe është shembull në menaxhimin e migracionit”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Udhëheqësit diskutuan për çështje si sfida e përballjes me numrin e madh të imigrantëve që kalojnë nëpër Kosta Rika në rrugëtimin e tyre drejt Shteteve të Bashkuara. Muaj më parë, zoti Chaves tha se vendi i tij kishte nevojë për ndihmë.

“Duhet t’u kërkojmë vendeve si Shtetet e Bashkuara që të na ndihmojnë për të përmbushur atë që duam. Të jemi qytetarë të mirë ndërkombëtarë, qytetarë të mirë të botës, një vend që vazhdon të jetë bujar, por kostot po bëhen të mëdha. Le të ketë sinjale më të qarta në Shtetet e Bashkuara”.

Analistët thonë se vendi i vogël bregdetar, i famshëm për plazhet dhe biodiversitetin, gjithashtu ka një rol për të luajtur përballë ambicieve ekonomike të Kinës.

Një program i financuar nga ligji i vitit 2022 “CHIPS and Science”, për të cilin administrata e Presidentit Biden thotë se është thelbësor për t’iu kundërvënë Kinës, tani ka vënë në objektiv Kosta Rikën për të prodhuar pajisje elektronike me përmasa tejet të vogla por që kanë një rëndësi të madhe në dërgimin e anijeve në hapësirë, gjysmëpërçuesit.

“Kompanitë që prodhojnë gjysmëpërçues janë tashmë të pranishme në Kosta Rika. Firma Intel aktualisht ka një degë atje. Janë të hedhura themelet për të ndërtuar edhe më tej. Prova kryesore është tek përbërësit, programet e trajnimit, nëse Kosta Rika mund të ndërtojë kapitalin e duhur njerëzor për të tërhequr investime”, thotë për Zërin e Amerikës Ryan Berg, me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. /VOA

/Shqip.com