Lajme

Presidenca thotë se Kushtetuesja e konteston procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka njoftuar Zyrën e Presidentes së Kosovës se e ka kontestuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, që ka të bëjë me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina ka bërë të ditur për Telegrafin, se Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës nëpërmjet një letre sot është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se në këtë Gjykatë është parashtruar një kërkesë individuale nga njëri nga kundërkandidatët në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit.

“Në këtë kërkesë kontestohet Aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili ndërlidhet me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë Kupina.

Më tej ai  ka thënë se “Presidentja Osmani ka sqaruar në vazhdimësi se të gjitha veprimet lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, do t`i ndërmarrë në përputhje me mandatin e saj kushtetues, duke respektuar pavarësinë e procedurave gjyqësore, sikurse edhe të drejtën e kandidatëve për të shteruar procedurat kushtetuese dhe ligjore për realizmin e të drejtave të tyre”.

“Sapo të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidentja Osmani do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese”, ka thënë Kupina, për Telegrafin.

Ndryshe, më 8 prill 2022, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kishte pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për emërim të kryeprokurorit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë, Zyra e Presidentes menjëherë pas pranimit të propozimit, ka filluar konsultimet me vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, për t’u njoftuar më tej për mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatit të propozuar.

Më 13 maj 2022, Zyra e Presidentes së Kosovës është njoftuar përmes një shkrese zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, se njëri nga kandidatët në këtë proces ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e kryeprokurorit të shtetit.

“Duke qenë se kjo kërkesë tanimë është regjistruar në Gjykatën Kushtetuese dhe e njëjta do të shqyrtohet nga kjo Gjykatë, ZPRK-ja e vlerëson se një vendim potencial i Presidentes në këtë kohë, në lidhje me emërimin ose jo të kandidatit për kryeprokuror të shtetit, do të ishte i parakohshëm. Prandaj, ZPRK konsideron se është e nevojshme që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë kërkesë, në mes tjerash edhe për të evituar çfarëdo ndikimi në procesin e vlerësimit kushtetues të kërkesës në fjalë”, thuhet në deklaratë.

Por, për KPK-në kërkesa e tyre drejtuar presidentes Vjosa Osmani për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit është e bazuar dhe nuk është ultimatum.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i është drejtuar Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

/Shqip.com