Lajme

Presidenca – Selakoviqit: Gënjeshtra është një formë e “patriotizmit serb”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryediplomati serb, Nikola Selakoviq.

Shefi i Stafit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas fjalimit të kryediplomatit serb, Nikola Selakoviq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Vela ka cituar një thënie serbe ku thuhet se “gënjeshtra është një formë e patriotizmit serb dhe një konfirmimin i inteligjencës sonë të lindur” duke aluduar në fjalimin e Selakoviqit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Ajo çfarë tha dje Selakoviq për Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit është një aplikim klasik i thënies së famshme të Dobrica Qosiqit( babait të kombit serb): ‘Gënjeshtra është një formë e patriotizmit serb dhe një konfirmim i inteligjencës sonë të lindur’ ”, ka shkruar Vela.

Selakoviq në mbledhjen e së premtes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së i tha Osmanit të ketë “respekt për Vuçiqin” pasi sipas tij “ai është edhe presidenti i Osmanit”.

Kjo pasi, presidentja e Republikës së Kosovës – përmendi faktin se Vuçiq ishte ministër i Millosheviqit gjatë kohës së gjenocidit serb në Kosovë.

Lexo edhe:
Kryediplomati serb – Osmanit: Duhet të qëndroni në këmbë kur e përmendi Vuçiqin sepse “është presidenti yt”

“Zonja Osmani duhet të qëndroni në këmbë kur të përmendi Aleksandar Vuçiq sepse është edhe presidenti i juaj dhe duhet t’i kushtoni respekt”, ka thenë Selakoviq.

Majde, Selakoviq ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin e cilësoi si “kasap i Ballkanit”.

“Ndërsa sa i përket kasapit të Ballkanit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e të tjerëve të cilët kanë kidnapuar qytetarë të pafajshëm dhe kanë tregtuar me organe njerëzore janë në burg dhe po përballën me gjyqin”, ka thënë ai.

Selakoviqin “e nervozoi” fjalimi i Osmanit, pasi është përmendur fakti se në Kosovë janë dhunuar 20 mijë gra.

Lexo edhe:
Osmani – kryediplomatit serb në Këshillin e Sigurimit: Mos mbani ligjërata

“Duhet të ndaloni të gënjeni për 20 mijë raste të dhunës gjatë luftës sepse bazuar në raportin e dhënë këtu tek Këshilli i Sigurimit të OKB-së, nga sekretari i përgjithshëm në misionin e UNMIK i prezantuar më 5 prill 2021, statusi i grave të dhunuar është konfirmuar jo tek 20 mijë gra por 920 raste”, pretendoi ai.

Ndërsa, Përfaqësuesi i Federatës Ruse në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Vasily Nabenzya, ka thënë se “Kosova po e provokon serbët për t’i larguar nga Kosova”, duke shtuar se “fjalimet e zjarrta të Vjosa Osmanit nuk mund të ndryshojnë faktet”./SHQIP.com