Lajme

Presidenca: Osmani ka marrë mbështetje nga zyrtari i BE-së për vetingun

Presidentja Osmani takon zyrtarin e BE-së, Marko Makovec,

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur të enjten në takim drejtorin në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Marko Makovec.

Në takim, Osmani ka theksuar se reformat e thella në sistemin e drejtësisë dhe sundimi i ligjit janë prioritete të Kosovës.

“Sundimi i ligjit, sipas Presidentes Osmani mbetet parakusht kryesor për suksesin e Republikës së Kosovës në çdo fushë përfshirë integrimin në BE”, thuhet në komunikatën për media të Presidencës.

Foto nga takimi

Në këtë kontekst, nga zyrtari i BE-së Osmani ka marrë mbështetjen për realizimin e procesit të vetingut në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane.

“Në takim me zyrtarin e BE-së, Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova tashmë ka përmbushur të gjithë kriteret dhe se BE-ja duhet ta mbajë fjalën ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave”.

Më tej, Presidentja Osmani është shprehur në favor të thellimit të bashkëpunimit strategjik me BE-në në çështje politike, diplomatike dhe të sigurisë, por edhe me shtetet veç e veç./SHQIP.com