Kulturë

Prend Buzhala / Kantikët tanë për mësuesin e vjetër

Prend Buzhala (1951) është një nga emrat më të njohur të letrave shqipe.
Prend Buzhala (1951) është një nga emrat më të njohur të letrave shqipe.

Shkruan: Prend BUZHALA

KANTIKËT TANË PËR MËSUESIN E VJETËR

(Çast i rishkruar lirik, në Ditën e Mësuesit)

1.
Kah ia ke mësyrë, ti Mësues i Vjetër,
me pallton e grisur, duke prekur me të përjetësinë?
Sa i rreptë Shkopi Yt Drejtues,
magji e fshehtësisë me Çelësin e të Vërtetës në dorë.
Përpara e ke Korin e Zemrës,
që t’i këndon të vërtetat e Çeljes së Dritës.
Eh, sa herë i ke qortuar fajet,
dhe ato mëkate kanë qenë mësuesit tu më të mirë.
Ende krijon ura
për të kaluar ata që urrejnë njëri-tjetrin për vdekje.
E ata mandej marrin udhë
për t’u bërë arkitektë të bukurisë së harqeve të triumfit.

2.
Me Dijen e këtyre gjakimeve
një qytet zemërgur e shndërron në vend të bekuar.
E  kishin fatin ta kenë Bekuesin e Mirë.
Mësues i libër-leximit nëpër hirin e perëndishëm.
Bëhesh Doracak për ndezjen e zemrës së luftëtarit.
E çka ndizet, edhe tretet si qiriu.
Të fshehtat, si guri mbi gur i ruan.
Ua dhuron të tjerëve edhe shëtitjet deri te ëndrra jote.
Për të jetuar si Mburojë e Urtisë
në hartën e Atdheut, tek i heq mjegullat nga udhët.

3.
Më e bukura Detyrë e Shtëpisë
qenka ajo për t’i larë borxhet e shenjta ndaj Vetvetes.
Ende e përdor Artin e Mësimit:
si të tjerët të bëhen fitimtarë në jetë e në histori.
A më shumë ke mësuar nga Libri i Zemrës së Jetës,
apo nga Libri i Shkruar?
Për t’i kapur për dore nxënësit,
ua vë këmbën në rrugë e ata mësojnë të ecin vetë.
Për ta shëruar, me Artin e Fjalës Tënde të urtë,
atë që ndien nevojë të shërohet.
Lektura më e rëndë qenka ajo e Gjedhes së Lirisë.
Ajo e të qenit nxënës i përjetshëm.

(Prend Buzhala, 7 mars 2014)

/Shqip.com