Lajme

Premtimi elektoral i VV-së për “Fondin Sovran” – Kurti kërkon kohë

Grupi i ekspertëve që është formuar nga Qeveria Kurti rreth hartimit të ligjit për Fondin Sovran, sot ka mbajtur takimin e radhës virtual.

Në njoftimin për media, kryeministri Kurti, ka theksuar se hartimi i ligjit dhe statutit për këtë fond kërkon kohë, përkushtim dhe dedikim. Ai ka falënderuar grupin e ekspertëve për gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj ndërmarrje të rëndësishmë të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, sipas njoftimit gjatë punëtorisë u trajtua puna e deritanishme dhe u diskutuan planet kohore për draftet e para.

Kujtojmë, se në mbledhjes e 81-të të Qeverisë ishte miratuar Koncept Dokumenti i Fondit Sovran i cili përcakton qëllimet, funksionin dhe mandatet e Fondit, si dhe parasheh gjithë procesin që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit.

“Ky Fond do të administrojë ndërmarrje e asete të Republikës me potencial zhvillimor, duke përmirësuar qeverisjen dhe duke rritur vlerën e tyre, me synim zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e tyre.

Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar që Agjencinë e Privatizimit do ta shuajë dhe asetet e saj do t’i kalojë në pronësi të Fondit Sovran.

Kanë kaluar më shumë se 1 vit prej kur është formuar Grupi Punues. Në mbledhjen e shtatorit të vitit 2021, ishin caktuar edhe organet udhëheqëse që do të punojnë në hartimin e ligjit për formimin e Fondit Sovran.

Grupi Punues përbëhet nga anëtarët: Arta Hoxha, eksperte e auditimit bankar, anëtare e Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, ekspert i çështjeve të ekonomisë së brendshme, Emanuel Bajra, ekspert i industrisë ndërkombëtare financiare, dhe Tea Blakaj Hoxha, këshilltare ligjore e Kryeministrit.

Kryetar i Grupit Punues është Besnik Pula, profesor në Universitetin Virginia Tech, në SHBA, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti në mbledhjen e atherëshme kishte deklaruar se po nis një nga reformat më të mëdha ekonomike në vend që nga pavarësia.

“Themelimi i Fondit Sovran do të japë një shpresë të re për zhvillim ekonomik në Kosovë, pas një modeli ekonomik, i cili që nga paslufta nuk solli ndryshimet aq të pritura dhe shpresat për vendin që pat populli i Kosovës”.

“Në funksion të konkretizimit të shtetit zhvillimor e kemi menduar, premtuar dhe tani do ta realizojmë njërin ndër institucionet e tij – Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, ishte shprehur Kurti.

/Shqip.com