Lajme

Prania e dendur e mjegullës, policia kërkon kujdes

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje vozitësve që të kenë kujdes dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit, pas disa ditëve me mjegull, sidomos në vendet ku pozita gjeografike është më e ulët.

“Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve. Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe. Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. Mbani vëmendjen, mos shpejtoni! Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë! Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të  pamundur që shoferët e tjerë t’ju shohin. Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës! Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes! Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

/Shqip.com