Lajme

Pranë skadimit afati ndaj qeverisë, pedagogët në Shqipëri drejt grevës së urisë

Pedagogët pritet të fillojnë pasditen e sotme, në orën 16:00, grevën e paralajmëruar të urisë. Kjo, në rast se Qeveria deri në atë orë nuk do të reagojë për t’u dhënë zgjidhje kërkesave të tyre.

Bëhet fjalë për kërkesat që pedagogët i kanë paraqitur në një peticion më 30 gusht të këtij viti. Kërkesa për të cilat theksojnë se janë me karakter ekonomik.

Dy ditë më parë, në protestën e fundit, Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve të Universiteve, Aleksandër Kovaçi, iu drejtua pjesëmarrësve duke u thënë se synimi është shpëtimi i Arsimit të Lartë.

“Atëherë pasi e pritëm tre vite, pasi i lamë dy muaj kohë për të reaguar që nga 30 gushti, i lemë qeverisë shqiptare dhe dy ditë kohë. Deri të mërkurën, për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së kërkesave tona.

Përndryshe, të mërkurën, datë 2 nëntor 2022, ora 16:00, të gjithë të jemi këtu së bashku në sheshin e Lëvizjes Universitare, përpara UPT në shenjë solidariteti për të gjithë ata bij e bija patriotë që kanë marrë përsipër këtë akt ekstrem të rezistencës paqësore me synim shpëtimin e Arsimit të Lartë nga shkatërrimi dhe Shqipërisë, nga shpopullimi”, tha Kovaçi.

/Shqip.com