Lajme

Pozita paralajmëron largimin e masave ndëshkuese të BE-së, opozita skeptike

Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian

Mazhoranca në Kuvend po paralajmëron largimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Mirëpo, opozita dhe analistët politikë, janë skeptik për një gjë të tillë, pasi konsiderojnë se “sanksionet”, po përdoren për presion politik ndaj Kosovës në raport me dialogun me Serbinë.

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Partisë Guxo, Jeta Statovci, thotë se ka sinjale nga Bashkimi Evropian se do të largohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Nga ana jonë janë cilësuar si masa të padrejta të cilat duke konsideruar se ishin masa ekonomike dhe duke ditur sa fragjile është ekonomia e Kosovës nuk mendoj se ishin as politikisht dhe as strategikisht një potezë i duhur. Andaj është theksuar nga ne, por edhe mbështetur nga senatorë dhe deputetë të tjerë që duhet të largohen masat ndaj Kosovës. Tashmë është edhe qëndrimi i joni që të ketë veprime, por ka edhe sinjale nga autoritetet dhe ndërmjetësues që do të ketë largim të këtyre masave”, thotë ajo.

Megjithëse i quan masat e BE-së të padrejta, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë veprim lobues për largim të tyre.

“Ne nuk shohim asnjë veprim konkret juridik e as ekonomik dhe lobues që ne do të bëjmë një gjë të tillë. Kosova nuk e meriton që të jetë nën sanksione në asnjë rast dhe rrethanë. Mirëpo ana tjetër është se ne duhet të kryejmë detyrat tona të shtëpisë dhe duhet të rrisim unitetin e brendshëm dhe jo logjika e përjashtimit dhe sanksionimit të opozitës dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”, thekson Shala për KP.

Në anën tjetër, analisti politik, Seb Bytyçi, thekson se masat janë vendosur për t’i bërë presion politikë Kosovës, andaj në rrethanat e tanishme e sheh të vështirë largimin e tyre.

“Është problem, pasi masat janë vendosur për t’i bërë presion Kosovës. Kemi pa deklarata se ende flasin për masa dhe deeskalim nga ana e Kosovës që tingëllojnë shumë të çuditshme pas 24 shtatorit, pasi ato masa nuk vlejnë më. Arsyet pse janë vendosur ato masa nuk vlejnë më pasi nuk ka nevojë për zvogëlim të policisë, por përkundrazi rritje. Logjikisht masat nuk duhet të qëndrojnë por janë vendosur për t’i bërë presion politik Kosovës për implementim të marrëveshjes”, deklaron ai.

Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së, në fund të muajit qershor. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

/Shqip.com