Lajme

Pozhari merr mbështetjen e Haxhiut për fushatën “Dinjitet për penzionerët”

Gazetari Xhevdet Pozhari ka marrur përkrahjen e ministres së Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiut për fushatën e tij “Dinjitet për penzionerët”.

Përmes një postimi në Facebook, Pozhari ka thënë se kërkesë e kësaj fushate është mosparaqitja e pensionistëve çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë të gjallë si dhe shtesa çdo muaj për ta.

“Ministrja Albulena Haxhiu më dha përkrahjen e saj në fushatën “Dinjitet për penzionerët”.Kërkesat janë: 1. Të hiqet obligimi jo njerëzor, morbid, që penzionerët të paraqiten çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë. 2. Shtesa çdo muaj për këtë shtresë të shoqërisë në kohën e inflacionit, deri në rritjen dinjitoze të pensionit të tyre”, shkroi Pozhari.

Shqip.com ka kontaktuar me Pozharin dhe i njejti ka thënë se qëllimi i fushatës është konkret me kërkesa konkrete të cilat shpreson që Qeveria do i marr parasysh.

“Po shpresojë që Qeveria do e marrë parasysh sidomos kur dihet se pensionistët janë shtresa që meritojnë një trajtim dinjitoz”.

Sipas Pozharit, qëllimi i kësaj fushate është që të ngritët zëri për ata që nuk kanë mundësi vetë dhe fushatës mund t’i bashkohet kushdo që dëshiron./Shqip.com