Ekonomi

Posta e Kosovës për 10 vjet rresht punoi me humbje

Posta e Kosovës, nga viti 2012 ka operuar me humbje të akumuluara me mbi 23.7 milionë euro, që vetëm gjatë vitit 2022, humbja financiare ka qenë 1.4 milionë euro.

Sipas raportit vetvlerësues të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), ndërmarrja në vitin 2022 ka pranuar një nën huazim nga Ministria e Financave me të cilën edhe është nënshkruar marrëveshja e nën huazimit me likuiditet emergjent për infrastrukturën vitale prej 2,147,607 euro. Sipas menaxhmentit kjo kredi siguron vijimësinë financiare të ndërmarrjes.

“Nga viti 2012 ndërmarrja ka treguar humbje të vazhdueshme financiare, ku vlera e humbjeve të akumuluara ka arritur në 23.77,832 euro, përkatësisht humbje financiare në vitin 2022 ishte 1,410,361 euro. Të gjitha pasiguritë materiale të paramenduara më të lartë si ishin shpalosur në pasqyra financiare dhe menaxhmenti kishte vlerësuar se nuk ekziston rrezik real që e ndikon parimin e vijimësisë gjatë vitit 2023”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, të hyrat totale të për vitin 2022 i ka realizuar në vlerë 10.3 milionë euro, prej tyre 5,160,910 euro janë nga klienti kryesor Telekomi.

“Humbja e mundshme e këtij klienti, për të cilin ekzistojnë pasiguria materiale , mund të hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë për të realizuar të hyra të mjaftueshme dhe të kryejë detyrimet e saj në rrjedhën normale të biznesit”, thuhet në raport.

Për të dal nga kriza financiare dhe mos varja nga klienti kryesor Telekomi, i cili i ka me qira objektet e Postës, bordi i Postës parasheh që hapësirat e objekteve do ti lëshoj me qira edhe për institucione publike dhe për biznese.

“Në raportin strategjik të vijimësisë financiare të miratuar nga bordi i drejtorëve me datën 13.03.2023 , në rast të humbjes së klientit kryesor parashihet që, hapësirat e njëjta të objekteve do të lëshohen me qira institucioneve tjera publike dhe bizneseve private me çmime të tregut. Po ashtu, gjenerimi i të hyrave shtesë parashihet edhe nga lansimi i dy projekteve siç janë Terminali Doganor i mallrave dhe Post Banka”, thuhet në raport.

Posta në regjistrat kontabël të pasurive, i ka gjithsej 174 pasuri të paluajtshme. Mirëpo, sipas dëshmive të ndërmarrjes, pronat me status ligjor të konfirmuara mbi të cilat ndërmarrja ushtron të drejtat pronësore janë gjithsej 25. Për pjesën tjetër të pasurive pronave statusi ligjor mbi pronësinë është ende i pa definuar.

Problem tjetër për ndërmarrje mbetet edhe ushtrimi i pozitave me Ushtrues Detyre, jashtë afateve ligjore.

“Gjatë testimeve tona për vitin 2022, kemi vërejtur se 36 pozita mbulohen me 47 zyrtar si Ushtrues Detyre (UD) mbi afatin e lejuar ligjor prej gjashtë muaj”, thuhet në raport.

/Shqip.com