Lajme

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare “Shtëpitë shkolla”

Posta e Kosovës sot ka lëshuar në qarkullim pullën postare me titullin “Shtëpitë Shkolla”.

Përmes një njoftimi nga Posta e Kosovës thuhet se kjo është bërë në nderë të të gjithë arsimtarëve dhe personave të tjerë të cilët kontribuuan në ruajtjen dhe mbrojtjen e arsimimit në shqip.

“Filatelia e Postës së Kosovës, përmes imazhit të pullës postare, nderon dhe kujton të gjithë arsimtarët, drejtorët e shkollave, pronarët e shtëpive dhe hapësirave për mësimdhënie, prindërit e gjeneratave të viteve 90-ta, nxënësit për kontributin, qëndresën dhe sakrificën e tyre në ruajtjen dhe mbrojtjen e substancës së arsimit shqip dhe të identitetit kombëtar”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

Në njoftimin e Postës së Kosovës thuhet se sivjet janë bërë plotë 30 vjet që nga themelimi i Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri” e cila pat rol mbi funksionin e pavarur të arsimit në Kosovë.

“Sivjet u mbushën plot 30 vjet nga dita e themelimit të Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri“, e cila pati rolin ministror mbi funksionimin e sistemit të pavarur të arsimit të Kosovës, pasi që policia serbe rrethoi shkollat, duke mos lejuar mësimdhënësit dhe nxënësit të hyjnë në ndërtesa”.

Mes tjerash thuhet se mësimdhënësit shqiptarë kishin refuzuar të jepnin mësim me kurrikulën e re serbe, kështu që shteti pushtues i shkarkoi ata nga puna. Drejtorët shqiptarë të shkollave u zëvendësuan më drejtorë serbë. Nxënësit dhe studentët shqiptarë – 400,000 gjithsej – nuk shkuan në shkollë deri në janar 1992.

Ndërsa sipas këtij njoftimi, për mbijetesën e arsimit shqip në Kosovë, familjet patriotike arsimdashëse hapën 3,200 shtëpitë e tyre, bodrume dhe garazhe private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara për strehimin e mbi 100,000 nxënës të shkollave të mesme dhe studentë shqiptarë./Shqip.com