Lajme

“Policia të nis hetimet për refuzimin e shërbimeve në gastronomi ndaj pjesëtarëve të komuniteteve”

Policia e Kosovës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kërkuar nga Policia që të nis hetimet pas raportimeve se një lokal në Gjakovë nuk ka ofruar shërbime për pjesëtarë të komunitetit rom.

Pikërisht, të hënën ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e tregoi këtë – bashkë me rrëfimin kërkoi që këto lokale të bojkotohen.

Sipas KMDLNJ-së, në rast se vërtetohet atëherë kjo është racizëm e kulluar.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“Për fat të mirë, në Kosovë, përkundër shumë vështirësive dhe problemeve, kryesisht për shkak të situatës së rëndë ekonomike, pikërisht pjesëtarët e komuniteteve, sidomos të komunitetit romë, egjiptas dhe ashkalinj kanë mbetur pa arsimim të nevojshëm prandaj edhe shkalla e papunësisë te këto komunitete është më e larta në Kosovë mirëpo nuk ka pasur diskriminim në baza racial. Edhe qasja në shërbime publike ka qenë më e vështirësuar.” Thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

Por, sipas këtij Këshilli ministri duhet të ndërmarrë masa e jo veç të kërkojë bojkotim.

“Bojkotimi i lokaleve që eventualisht paskan refuzuar të shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve nuk është përgjigje e duhur dhe, sipas KMDLNj –së është masë e lehtë prandaj, si masë parandaluese efikase dhe e domosdoshme duhet të jetë veprimi i shpejt i ligjit! Nëse ky dyshim i ministrit Krasniqi vërtetohet, çdo mosveprim i ligjit do të jetë inkurajues për shkelësit e mundshëm në të ardhmen”.

Çfarë ka deklaruar ministri?

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, së fundmi ka adresuar një problemtatikë ndaj komuniteve joshumicë.

Ai ka bërë thirrje që të bojkotohen lokalet ku nuk u shërbehet komuniteteve, shkruan Shqip.com.

“Është turp që ende në lokalet e gastronomisë në qytete të ndryshme të Kosovës, në forma të ndryshme refuzojnë t’i shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve dhe bëjnë diferencime!”, ka shkruar ai në Facebook.

Një rast i tillë, sipas ministrit, ka ndodhur në qytetin e Gjakovës.

Ai ka thënë se qyteti i Gjakovës është shembull për bashkëjetesë dhe rastet e tilla nuk duhet të ndodhin.

“Për një rast të tillë edhe dje me informuan aktivistë nga Gjakova. Gjakova është ndër qytetet shembull për bashkëjetesë dhe rastet e tilla nuk duhet të lejohen të ndodhin!”, ka shkruar Krasniqi.

“Mbetet angazhim i institucioneve dhe shoqërisë që të garantoj dhe zhvilloj bashkëjetesën dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët. Lokalet të cilat bëjnë diferencime të tilla duhet t’i bojkotojmë të gjithë! Personat me ngarkesa raciste nuk duhet t’i mbështesim në zhvillim të tyre”. /Shqip.com