Lajme

Policia: Shqetësues numri i personave që vdiqën në aksidente trafiku gjatë nëntorit

Foto: Ilustrim

Pesë persona kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidenteve në trafik që kanë ndodhur gjatë muajit nëntor në Kosovë.

Policia e Kosovës thotë se këto shifra janë shqetësuese, teksa u bën thirrje shoferëve që të jenë më të vëmendshëm dhe të mbajnë distancën e sigurisë.

“Bazuar në statistikat e aksidenteve fatale të muajit nëntor 2021, është një situatë shqetësuese me një numër prej 5 personave, (1 shofer, 2 biçiklistë dhe 2 këmbësorë) që kanë humbur jetën në aksidente fatale”, thuhet në njoftimin e PK-së.

May be an image of 1 person and text

Ndërsa, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka apeluar tek shoferët e të gjitha kategorive të automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor.

“Duke marrë parasysh situatën e krijuar, për shkak të motit me reshje shiu e bore (ngrica), Policia Rajonale e Ferizajt ka shtuar prezencën policore në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale, urbane dhe rurale në të gjithë rajonin e Ferizajt, përfshirë komunat: Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit , me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore”.

“Patrullat e Policisë Rajonale janë të fokusuara, së pari në dhënien ndihmë shoferëve të automjeteve që kanë nevojë gjatë qarkullimit, këshillimin e shoferëve të automjeteve për të zbatuar ligjet dhe rregullat e komunikacionit rrugor, por edhe në ndëshkimin e atyre që nuk i zbatojnë ato rregulla”.

Po ashtu Policia apelon tek drejtuesit apo shoferët e automjeteve që të kenë pajisjet dimërore në automjetet e tyre, të kenë vendosur gomat e dimrit dhe të jenë të kujdesshëm në komunikacionin rrugor, me theks të veçantë që shoferët  të mbajnë distancën e duhur mes automjeteve dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes së automjetit, në raport me kushtet e rrugës./SHQIP.com