Lajme Ballkan

Policia kërkon bashkëpunim për kapjen e atentatorëve të Don Boskos, ofron 20 mijë për këdo që ka info

Një shpërblim prej 20 mijë eurosh ofron Policia e Shtetit për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifikimin e autorëve të atentatit në Don Bosko, ku u vra një grua dhe u plagosën pesë të tjerë.

Policia e Shtetit ka vendosur në dispozicion të publikut edhe numrin e telefonit 069 41 11 546.

Theksojmë se mbrëmë rreth orës 21:05, në rrugën “Anastas Shundi”, në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit F. M., është qëlluar me armë zjarri automatike dhe për pasojë ka mbetur e vrarë shtetasja Mimoza Paja, 58 vjeçe, e cila ishte e punësuar si banakiere, si dhe janë plagosur 5 shtetas, 3 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në spitalin e Traumës duke marrë ndihmë mjekësore.

Gjatë ditës së sotme, është rikqyrur vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe disa prova të tjera të vlefshme për hetimin.

Lexo edhe:
Dalin detaje të reja lidhur me plagosjen në Tiranë

Po ashtu, sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e qujatur “Ura e Sul Meres”, është gjetur një automjet i djegur, brenda të cilit kishte 3 armë zjarri automatike.

Nga verifikimi i numrit të shasisë së automjetit rezulton se ky mjet tip BMË, seria 5, (525) me ngjyrë gri, ishte vjedhur gjatë natës më datë 14.03.2021, në lagjen numër 13 Durrës.

Dinamika e kësaj ngjarjeje sipas policisë:

Autorët janë afruar me automjetin tip BMË, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të Fatjon Muratit dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit. Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetin në fshatin Likmetaj.

Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë duke analizuar informacionet për autorë të dyshuar dhe për motivet e kësaj ngjarjeje.

Pronari i lokalit, Fatjon Murati është nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe po hetohej me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”. Më datë 07.03.2023, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, në zbatim të procedurave standarde të punës, kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë shtetasin F. M., ndërsa në kontrollin e datës 12 mars gjatë kontrollit ky shtetas nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim dhe punohet për gjetjen dhe arrestimin e tij, raporton TopChanel.

/Shqip.com