Lajme

Policia: Ka të shtëna me armë, shqiptarët janë maltretuar dhe iu janë shkaktuar lëndime

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka konfirmuar se në veri të Mitrovicës ka të shtëna me armë zjarri.

PK-ja ka bërë të ditur se shqiptarët janë maltretuar dhe janë lënduar nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.

“Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur. Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet në njoftim.

Disa momente më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar mbi zhvillimet e sotme, pak kohë para hyrjes në fuqi të vendimit për reciprocitet ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Kurti, përmes një adresimi në faqen e tij në Facebook, ka paralajmëruar se orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike,

“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, ka shkruar ai.

Theksojmë se Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të bllokadave të vendosura.

Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë./Shqip.com