Lajme

Policia jep detaje për vdekjen e 64-vjeçarit në stallën e tij në Novosellë

Ilustrim

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e 64-vjeçarit në fshatin Novosellë të Malishevës, i cili dyshohet se ka humbur jetën pas ngufatjes nga tymi i stallës së tij, e cila ishe përfshirë nga zjarri.

Siç njofton policia, viktima ishte dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, përcjell Shqip.com.

“Sipas deklaratave të familjarëve, dyshohet se viktima diku rreth orës 01:00 pas mesnate më datë (03.08.2021) ishte zgjuar dhe kishte shkuar tek stalla e tij e cila ishte përfshirë nga zjarri, më 02.08.2021, që të sigurohej nëse zjarri ishte shuar plotësisht apo nëse është riaktivizuar. Familjarët e kishin gjetur viktimën rreth një orë më vonë dhe e kishin dërguar në QKMF”, thuhet në njoftim.

Policia më tej bën të ditur se stalla e viktimës dyshohet se ishte djegur si pasojë e lidhjeve të shkurtra në rrjet elektrik.

“Më 02.08.2021 si pasojë e zjarrit ishte djegur një pjesë e stallës së tij, e cila dyshohet të jetë djegur si pasojë e lidhjeve të shkurtra në rrjet elektrik shkaku i erërave të forta. Zjarri ishte shuar nga zjarrfikësit në të njëjtën ditë rreth orës 19:00, pra më datë 02.08.2021. Dyshimet e mjekut kujdestar janë se i njëjti mund të jetë ngulfatur/asfiksuar nga tymi i stallës e cila edhe pse zjarri ishte shuar ende tymonte”.

Në njoftim thuhet se pas konsultimeve me prokurorin e shtetit rasti është kualifikuar si ‘hetim i vdekjes’, për hetim të rastit janë angazhuar hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale Gjakovë.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion./SHQIP.com