Policia hap rast për sulmin fizik të Kurteshit ndaj zyrtarit të KQZ-së

Organet e rendit kanë marrë masa ndaj rastin e sulmit fizik të ndodhur brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për çka dyshohet se anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komision, Sami Kurteshi, ka sulmuar një zyrtar tjetër.
Këtë për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se lidhur me këtë është inicuar një hetim.
“Policia ka pranuar informatën rreth orës 12:00 dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që në fazë preliminare janë trajtuar rrethanat e ngjarjes me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim për rastin sulm”, tha Ahmeti.
Shqip.com ka kontaktuar edhe me Kurteshin për të marrë një përgjigje lidhur me këtë rast, por ai e ka mohuar këtë duke thënë se nuk është në dijeni për asgjë.
“Jo, nuk është e vërtetë. Unë nuk po di asgjë në lidhje me këtë”, ka thënë Kurteshi.
Raportimet kishin të bënin me atë se “Kurteshi ka sulmuar një zyrtar pasi që ai nuk e kishte të vendosur maskën”. /Shqip.com