Lajme

Policia e Shqipërisë brenda 24 orëve pezullon 100 patentë shofer në Rrugën e Kombit

Policia e Rrugës së Shqipërisë

Policia Rrugore e Shqipërisë i ka pezulluar 100 drejtuesve lejet e vozitjes vetëm gjatë monitorimit 24 orësh në Rrugën e Kombit.

Përmes një njoftimi, Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë këtij monitorimit janë shqiptuar edhe 331 gjoba.

“Gjatë 24 orëve të fundit: 100 leje drejtimi të pezulluara për shpejtësi, 331 masa administrative po për shpejtësi, por pa sanksion plotësues (pezullim i lejes së drejtimit), për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mospërdorim të rripit të sigurimit dhe për parakalime të gabuara. Shkeljet janë evidentuar nga makina inteligjente, radari automatik dhe patrullat e njësisë, që janë në lëvizje”, thuhet në njoftim.

Rruga e Kombit është monitoruar përmes makinave inteligjente, radarit automatik dhe patrullat e njësisë, që janë në lëvizje.

“Makina inteligjente dhe radarët automatikë kanë monitoruar përsëri qarkullimin e automjeteve në Rrugën e Kombit, në të dy senset e lëvizjes, ku janë skanuar nga makina inteligjente, shpejtësi që varionin nga 135 km/h deri në 195 km/h”, është bërë e ditur në njoftim.

Shefi i Njësisë për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë Gramoz Dafku ka theksuar se parandalimi i aksidenteve rrugore është në fokus të punës së kësaj njësie.

Dafku ka theksuar se shkelësit më të shumtë janë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Kosoava për në Shqipëri dhe anasjelltas, prandaj po bashkëpunohet edhe me Policinë Kufitare, për të bërë të mundur shlyerjen e masave administrative nga drejtuesit e atyre automjeteve që kanë mundur të ndalohen nga shërbimet e Policisë Rrugore./Shqip.com