Lajme

Policia e Kosovës tani ka zyrtarin e saj ndërlidhës në EUROPOL

Policia e Kosovës tani ka zyrtarin e parë ndërlidhës në EUROPOL i cili ka filluar detyrën e tij zyrtare disa ditë më parë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës (PK), në vazhdën e avancimit dhe rritjes së mëtejme të kapaciteteve në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, konkretisht të bashkëpunimit me EUROPOL-in, tani më ka dërguar zyrtarin e parë ndërlidhës në EUROPOL, i cili ditë më parë ka filluar zyrtarisht detyrën”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Po ashtu, thuhet se qëllimi primar i PK-së mbetet avancimi i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me EUROPOL-in.

“Qëllimi primar i PK-së vazhdon të mbetet avancimi i mëtejmë i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me EUROPOL-in , bashkëpunim ky i cili ndihmon dhe ndikon në lehtësimin e komunikimit dhe krijimit të një partneriteti të drejtpërdrejtë, duke përfshirë edhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet EUROPOL-it dhe institucioneve të zbatimit të ligjit”.

Tutje, thuhet se ata do të angazhohen në vazhdimësi të luftës së përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuara dhe të gjitha formave të tjera të krimit.

/Shqip.com