Lajme

Policia e Kosovës realizon një operacion kontrolli në Zveçan nën dyshimet për drogë, gjen edhe pajisje për prodhim të kriptovalutave

Ilustrim.

Policia e Kosovës ka realizuar gjatë ditës së sotme një aksion në Zveçan nën dyshimet për drogë por që gjatë aksionit janë gjetur edhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

“Policia e Kosovës më datë 07.07.2022, në ora 15:20, ka marrë urdhër verbal për kontrollimin e objektit të banimit të të dyshuarit me iniciale (S.N.) në Zveçan, pasi që dyshohej se aty kishte lëndë narkotike. Rreth orës 15:50 me asistencën e Njësitit për Intervenim, njësiti patrullues nga stacioni policor në Zveçan, ka filluar kontrollin e objektit dhe në brendësi janë gjetur lëndë narkotike e ngjashme me marihuanë me peshë prej rreth 45 gram, gjithashtu janë gjetur dhjetë (10) rrënjë të dyshimta të ngjashme si bimë kanabisi. Gjatë realizimit të operacionit policor, gjithashtu u gjetën një numër i madh makinerish, gjegjësisht pajisje për nxjerrjen e kriptovalutave”, thuhet në njoftimin e Polcisë.

Po ashtu është bërë e ditur edhe për materialet e konfiskuara gjatë aksionit.

“Si dëshmi/prova gjatë kontrollit janë gjetur si në vijim:

– Katër (4) kamera video incizim, DVR, Makinë për nxjerrjen e kriptovalutave, me gjashtë (6) karta, Makinë për nxjerrjen e kriptovalutave, me gjashtë (6) karta, Makinë për nxjerrjen e kriptovalutave, me tetë (8) copë karta, Makinë për nxjerrjen e kriptovalutave, me tetë (8) copë karta, Monitor me tastierë, Nëntëmbëdhjetë (19) copë makineri për nxjerrjen e kriptovalutave, lloje të tjera, Ndarës i kabllove në internet për minierat e kriptovalutave, Modem internet, Ruter dhe Ventilator”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit vlera e makinerive/pajisjeve të gjetura, vlerësohet të jetë rreth pesëdhjetë e pesë (55) mijë euro.

Lidhur më këtë rast, është kontaktuar prokurori i Shtetit në detyrë, i cili është informuar për rastin, i njëjti ka urdhëruar që të bëhet kryqja e vendit të ngjarjes, të kontaktohet dogana e Kosovës për të marrë përsipër veprimet/punën e mëtutjeshme./Shqip.com