Lajme

Policia e Kosovës për tri ditë identifikon 66 lëmoshë-kërkues

Jeta e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në rrugë
Jeta e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në rrugë

Vetëm në tri ditët e fundit, Policia e Kosovës ka identifikuar 66 lëmoshë-kërkues.

Sipas njoftimit të PK-së, janë identifikuar 44 fëmijë lëmoshë-kërkues, ku prej tyre 36 janë shtetas të Kosovës dhe tetë shtetas të Shqipërisë.

“Gjatë këtyre tri ditëve gjithashtu janë identifikuar 22 lëmoshë-kërkues të moshës së rritur ky prej tyre 14 janë shtetas të Kosovës dhe tetë të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është në zbatim të planit operativ “identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si dhe viktima të mundshme të trafikimit”.

“Të gjithë fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë janë referuar në QPS-në përkatëse. Shtetasit e Shqipërisë pas verifikimit janë referuar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj për trajtim të mëtutjeshëm sipas ligjit për të huaj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë procedurave policore nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit me njerëz./Shqip.com