Lajme

Policia e Kosovës në veri ndalon tre kamion që po kontrabandonin mallra

Policia kufitare e Kosovës në veri, ka ndaluar tre kamion të cilët kanë qenë të ngarkuar me mallra pa dokumente përcjellëse.

Drejtoria Rajonale Kufitare, në veri së bashku me Policinë e Kosovës, këtë aksion e kanë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve për parandalimin e kontrabandës.

Njëri kamion ka pasur brenda pemë, perime dhe shkrepsa rimbushëse kurse, dy  të tjerët kanë qenë të mbushur me dru.

“Policia e Kosovës ka ndaluar një kamion me targa të huaja që po lëvizte nga territori i Kosovës në drejtim të Serbisë me vozitës dhe pasagjer meshkuj shtetas të Serbisë, në të cilin kishin të ngarkuar pemë, perime dhe shkrepësa rimbushëse. Po ashtu në datën e lartcekur rreth orës 20:00 në dy raste të ndara janë ndaluar dy kamionë njëri me targa vendore dhe tjetri me targa të huaja, me vozitës meshkuj kosovarë, të ngarkuara me dru sasi gjithsej 34m³ pa dokumente përcjellëse”, thuhet në njoftimin e Policisë.

PK-ja thotë se lidhur me rastet për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent.

Në rastin e parë, automjeti dhe mallrat e dyshuara janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin Doganor në Mitrovicë dhe të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Ndërsa, në dy rastet tjera është njoftuar Agjencioni Pyjor i Kosovës në Mitrovicë për veprimet e mëtutjeshme dhe me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt./Shqip.com