Lajme

Policia e Kosovës jep detaje për protestën e nesërme të OVL-së

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet që nesër të organizojnë një protestë duke filluar nga ora 09:30.

Lidhur më këtë Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me protestën që pritet të mbahet gjatë ditës së nesërme.

“Sot, më 15.06.2022, zyrtarë nga PK-ja, kanë zhvilluar një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës” thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik.

“Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimit / protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore” thuhet më tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë thirrje që protesta dhe protestuesit të jenë të qetë dhe të respektojnë ligjet e vendit./Shqip.com