Policia e Kosovës jep detaje nga incidenti i shëmtuar mes tifozëve të Ballkanit dhe Llapit
Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth incidentit të ndodhur në Podujevë në mes të tifozëve të Llapit dhe Ballkanit.
Ndeshja përfundoi 3-2 në të mirë të llapjanëve, dhe kjo dëshpëroi mbështetësit e skuadrës nga Suhareka, me çka edhe filluan demolimin e stadiumit “Zahir Pajaziti”.
Gjuajta me karrige mes dy tifozerive ka bërë që organet e rendit të arrestojnë 21 persona.
Përmes një njoftimi në faqen e tyre zyrtare, Policia e Kosovës jep detaje për këtë incident:
Shoqërohen në stacion policor 21 persona të përfshirë në një incident të ndodhur në Podujevë
Me datën 12.03.2023, rreth orës 15:00, në Podujevë, pas një ndeshje futbolli, tifozët e ekipeve janë përleshur duke përdorë/gjuajtur mjete të forta.
Si pasojë e përleshjes deri tani është raportuar se janë lënduar 2 zyrtarë policor, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës.
Ndërsa nga ana e tifozëve, deri tani është raportuar për tre të lënduar.
Bazuar në të dhënat fillestare, ngjarja ka filluar në stadium, ku janë shkaktuar dëme materiale, (dëmtim i ulëseve), më pas ka vazhduar në rrugët “Besnik Restelica” dhe “Zahir Pajaziti”, ku janë dëmtuar tri vetura dhe një autobus.
Pas vënies nën kontrollë të situatës, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për ngjarjen.
Hetuesit policor në vazhdimësi janë duke ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të identifikimit dhe procedimit e të gjithë të dyshuarve të përfshirë në këtë ngjarje.
/Shqip.com