Lajme

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kapin afro 33 kilogramë kanabis

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Kukësit, kanë finalizuar operacionin policor, i koduar si “korridori”, për goditjen e një tentative për të trafikuar drejt Kosovës lëndë narkotike kanabis sativa.

Bëhet e ditur se gjatë këtij operacioni janë sekuestruar rreth 32.7 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa dhe një automjet me të cilin transportohej lënda.

“Vihet në pranga 38-vjeçari nga Kosova, i cili transportonte lëndën narkotike të ndarë në pako. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kapen menjëherë, në Kosovë, 2 prej të dyshuarve si organizatorë të sigurimit dhe të trafikimit të lëndës narkotike”.

“Strukturat për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës, në bashkëpunim me Prokurorinë, si rezultat i hetimeve, kanë identifikuar 3 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë rast. Vijon puna për kapjen e tyre, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë së Shqipërisë.

Tutje, bëhet e ditur se i dyshuari J.K., nga Shqipëria, automjetin bashkë me lëndën narkotike ia kishte dhënë në Morinë shtetasit nga Kosova me iniciale G.M., A.A., nga Maqedonia e Veriut.

“Shtetasi J. K., kundrejt pagesës, do ta kalonte lëndën narkotike, në Kosovë, nëpërmjet PKK Qafë Prush. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe koordinimit me Policinë e Kosovës, u bë e mundur kapja në Kosovë, e shtetasve G. M. dhe A. A”, thuhet në njoftim.

Më tej, bëhet e ditur se në këtë rast janë të përfshirë edhe një shtetas tjetër maqedonas dhe dy shtetas serbë.

/Shqip.com