Policia e Kosovës demanton spekulimet: Dejan Pantiqit i kemi siguruar barna

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka demantuar mediat serbe dhe Petar Petkoviqin, drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, që kishin deklaruar se ish-polici Pantiq, që tash gjendet në paraburgim, e ka jetën në rrezik dhe nuk po i ofrohet trajtim mjekësor.
Në informacionin e policisë thuhet se Pantiqit i është ofruar avokati mbrojtës dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore.
“Andaj, spekulimet e vazhdueshme nga persona të caktuar dhe disa media kryesisht serbe, përfshirë spekulimin e fundit të publikuar përmes video-mesazhit, se gjoja zyrtarët policorë nuk e kanë trajtuar si duhet dhe nuk i kanë ofruar barnat mjekësore personit të dyshuar (D.P.), njofton dhe sqaron se: I njëjti është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore.
Po ashtu Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar”, njofton Policia e Kosovës.
Gjatë ditës është raportuar se Dejan Pantiq ka probleme shëndetësore me zemër. Lidhur me këtë Shqip.com ka dërguar pyetje në misionin evropian të sigurisë në Kosovë, EULEX.
“EULEX-i lehtësoi transportin e barnave të z. Pantiq. Misioni ia dorëzoi barnat komandantit të Policisë së Kosovës në Leposaviq”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Shqip.com.
/Shqip.com