Lajme

Policia e arreston në Bërnjak serbin Sreçko Sofronijeviq

Arrestim / Ilustrim
Arrestim / Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar sot serbin, Sreçko Sofronijeviq.

Rastin e ka konfirmuar Komandanti i Policisë për rajonin e Mitrovicës së veriut, Veton Elshani.

Arrestimi i tij është bërë në Bërnjak, dhe të njëjtit i është caktuar masë ndalimi prej 48 orësh.

Sofronijeviq ishte në kërkim nga autoritetet e Kosovës, si pjesëmarrës në përplasjet e serbëve kundër aksionit të Policisë së Kosovës në parandalimin e mallrave kontrabandë.

Ndryshe, Lista Serbe ka thënë se arrestimit i Sofronijeviqit është vazhdim i terrorit të “regjimit të Prishtinës mbi popullin serb”.

“Arrestimi i sotëm i bashkëqytetarit tonë Srecko Sofronijeviq nga policët e Kurtit teksa bashkë me bashkëshorten e tij ishin nisur për në Serbinë qendrore në vendkalimin administrativ Bërnjak, është vazhdim i terrorit të regjimit në Prishtinë mbi popullin tonë, por edhe për Sofronijeviqin dhe familjen e tij. Si kujtim, Sofronijeviq u qëllua në shpinë dhe u plagos rëndë nga policia e Kurtit më 13 tetor 2021 në afërsi të shtëpisë së tij, ndërsa po përpiqej të fshihte dhe mbronte fëmijën nga zjarri i forcave speciale të Kurtit.  Akuza për sulm ndaj rendit kushtetues është, kujtojmë, pjesë e planit të Albin Kurtit për të dëbuar të gjithë serbët nga veriu i Kosovës. Në atë listë arrestimi për prishje të rendit kushtetues janë mbi 80 persona, disa prej tyre janë mjekë, biznesmenë, përfaqësues politikë të popullit serb, drejtorë të institucioneve dhe institucioneve publike”, thuhet në reagimin e tyre.

Partia më e madhe serbe në Kosovë e ka cilësuar arrestimin e Sofronijeviqit si “të pabazë” dhe “arbitrar”. Madje, ata thonë se Sofronijeviqi u arrestuar veç pse është serb, ndërsa vunë në pikëpyetje aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Për ta bërë paradoksin më të madh, në vend që sot familja e Srecko Sofronijeviqit dhe vetë ai të shikojnë se si po arrestohet ai që për pak sa nuk e vrau Sofronijeviqin në tetor 2021, ata sot po shikojnë sesi Sofronijeviqi arrestohet në mënyrë të paarsyeshme për një nga krimet më të rënda. Pyesim nëse ky arrestim është vazhdimësi e represionit të regjimit të Albin Kurtit përmes arrestimeve të pabaza dhe arbitrare siç e kemi parë muaj më parë dhe nëse praktika e arrestimeve të pabaza është standard i rekomanduar nga Prishtina për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, e veçanërisht në Këshilli të Europës. Ku tjetër në Evropë arrestohen njerëzit për shkak të përkatësisë së tyre etnike?”, vijon reagimi i Listës Serbe.

Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë, para së gjithash vendeve të QUINT-it, por edhe EULEX-it, Bashkimit Evropian dhe UNMIK-ut “që të reagojnë urgjentisht dhe të parandalojnë shtypjen e Sofronijeviqit dhe qytetarëve tanë në përgjithësi, dhe të mundësojnë lirimin e tij dhe të drejtën për t’u mbrojtur nga akuzat e rreme”.

/Shqip.com