Lajme

Ali Ahmeti: Kandidatja për Presidente kërcënoi se do çojë UÇK-në në Hagë, shqiptarët nuk do ta votojnë

E mërkura e 8 Majit do t’i gjejë qytetarët e Maqedonisë së Veriut në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Ali Ahmeti Kryetar i BDI-së, shpalos disa pakënaqësi në adresë të kandidates të opozitës Gordana Siljanovska Davkova.

Njerëzit janë të lirë të vendosin për kë do të votojnë. Ka një pezm nga kandidatja e VRMO-s që doli me ca broçkulla se do hapi çështjet e para 23 vjetëve që janë mbyll ke drejtësia ndërkombëtare për UÇK. Ajo e ka humbur me automatizëm që atë moment që doli me këtë kërkesë dhe nuk e mbështet kërkush prej shqiptarëve. Për tjetrin të vendosin njerëzit me votu”, tha Ahmeti.

I pyetur për bashkëpunimin e mëtejshëm me kandidatin tjetër për president nga radhët LSDM-së, Stevo Pendarovski dhe një përkrahje të mundshme në këtë raund të dytë, Ali Ahmeti dha këtë përgjigje.

“Tani bashkëpunimi është i natyrshëm me të gjithë pavarësisht aty këtu të ndonjë përplasje dhe pse unë nuk kam provokuar asnjë përplasje. Më kanë provoku te tjerët dhe u kam thënë mos e prekni gurin se nxjerr xixa. Kështu nga ai moment kanë pushuar provokacionet. Të gjithë duhet të mendojmë se më 9 maj duhet të merret përsipër drejtimi i shtetit. Të funksionojë paqja, demokracinë e mirëfilltë dhe siguria”, tha Ahmeti.

Si i shikon Ali Ahmeti ndërhyrjet e Albin Kurtit në jetën politike të Maqedonisë së Veriut?

Kosovës i duhet Maqedonia. Kosovës i duhet Shqipëria, i duhet Mali i Zi. Ne jemi vende anëtarë në NATO, jemi në të gjitha strukturat ndërkombëtare. Tre shtete jemi në prag të një pakoje për anëtarësim në BE. Kosovës i duhet dhe është domosdoshmëri që të ketë respekt për këto tre qendra. Që janë të rëndësishme”, tha Ahmeti.

Pyetje: A ju ka përçarë Kurti?

Ali Ahmeti: Jo, nuk ka përçarje.

Këto komente Ali Ahmeti i bëri nga Tropoja ku u vendos shtatorja e komandantit të vrarë të UÇK-së-Tahir Sinani.

/Shqip.com