Lajme

Policia demanton shkrimin tendencioz të Simiqit për dëmtimin e automjeteve serbe nga ROSU

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq

Policia e Kosovës e ka quajtur tendencioz dhe të pavërtetë shkrimin e publikuar nga Igor Simiq në Facebook, duke thënë se veprimet policore ndërmerren konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi.

Në reagimin e tyre, Policia thotë se nuk bie pre e provokimeve të vazhdueshme, dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme të orientuara me qëllime të caktuara politike.

Simiq tha se Njësia Speciale e Kosovës gjatë zëvendësimit të zyrtarëve mbrëmë, kanë dëmtuar qëllimisht një numër automjetesh private të parkuara në pronësi të serbëve, në Bernjak.

Vetura që Igor Simiq pretendon se është dëmtuar nga Njësitë Speciale të Kosovës

Nëpërmjet një komunikate për media, PK thotë se me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të Igor Simiq, të titulluar – Primitivizëm i Njësive Speciale të Kosovës në Bërnjakë, i cili pastaj si spekulim i tillë është publikuar edhe në portalin serb Kosovo – online.

“Në këto shkrime spekulohet se kinse njësitet speciale (NJSO) të PK-së, me rastin e kryerjes së ndërrimeve në kalimin kufitar Bërnjakë, me date 30 shtator 2021 rreth orës 23.30, kinse me qëllim kanë dëmtuar dhjetëra automjete private të parkuara në rrugë, sipas fotografive kinse janë gërvishtur nga zyrtarët veturat në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Duke e dëshmuar faktin se Policia e Kosovës është profesionale dhe në zbatim të ligjit, e ritheksojmë se veprimet policore ndërmerren konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, dhe nuk bie pre e provokimeve të vazhdueshme, dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme të orientuara me qëllime të caktuara politike”.

“Policia e Kosovës ka bërë verifikimet zyrtare me njësitet relevante në terren dhe është vërtetuar se informacionet e tilla janë të pavërteta, pasi njësitet policore në asnjë rrethanë nuk janë të përfshirë, andaj shkrimet e tilla janë spekulime, të paqëndrueshme dhe të orientuara politikisht, me qëllim të destabilizimit të situatës dhe njollosjes së njësiteve elite të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës, bën të ditur se edhe përkundër spekulimeve të tilla do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime. /Shqip.com