Policia apelon për kujdes në trafik, paralajmëron masa

Policia e Kosovës përmes një komunikate drejtuar mediave, ka apeluar për kujdes nga të gjithë drejtuesit e automjeteve gjatë kësaj periudhe me borë dhe ngrica.
“Referuar reshjeve të borës dhe paraqitjes së ngricave nëpër rrugë, krijohet vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve”, thuhet në apelin e PK-së.
“Prandaj, Policia e Kosovës vazhdon të kërkoj nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent”.
Posedimi i pajisjeve dhe gomave të dimrit, siç thuhet në njoftim, është i detyrueshëm për të mundësuar qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt me automjet gjatë kësaj periudhe.
“Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet”.
Mes tjerash, thuhet se PK-ja bashkë me njësitet e saj po ndërmarrin dhe do të ndërmarrin masa ndaj atyre që bien ndesh me ligjin.
“Me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në rrugët tona”.

Ndryshe, vetëm në 10 ditë e para të janarit, shtatë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Tre nga ta kanë vdekur në aksidentin që ndodhi të dielën e 9 janarit në rrugën Prishtinë-Podujevë./SHQIP.com