Lajme

Polici plagosi dy qytetarë tek liqeni i Badovcit, IPK: Pati shkëmbim me armë zjarri

Mramor

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se me 1 maj në fshatin Mramor ka ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri, ku i përfshirë është edhe një zyrtar policor.

Sipas IPK-së hetuesit me të pranuar njoftimin i janë përgjigjur këtij rasti i cili ka ndodhur të Liqeni i Badovcit në fshatin Mramor, Prishtinë, ku zyrtari policor Sh.E, derisa kishte qenë në piknik me shoqërinë e tij, ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri me armë me dy qytetar të armatosur.

“Zyrtari policor gjatë këtij shkëmbimi të zjarrit me armën zyrtare ka plagosur dy persona të cilët dyshohet se kanë sulmuar zyrtarin policor dhe shoqëruesit e tij që gjendëshin me të në piknik. Dy personat e dyshuar të përfshirë në incident kanë marr plagë nga arma e zjarrit dhe të njëtit i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike dhe mbeten në QKUK duke vazhduar tretmanin mjekësor”, thuhet në njoftim.

IPK-ja ka bërë të ditur se prokurori i Shtetit ka udhëzuar që në ketë fazë të hetimit të hapet rast penal ndaj dy qytetarëve të përfshirë në këtë rast, nën dyshimin për kryrjen e veprave penale Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe Armëbajtje pa leje, dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt, derisa të përmirësohet gjendja shëndetësore e personave të plagosur dhe të njëjtit do të monitorohen nga policia.

“Ndërsa zyrtari policor Sh.E, në këtë fazë të hetimit mbetet në cilësinë e dëshmitarit dhe rasti do të hetohet nga Policia e Kosovës, në koordinim me hetuesit e IPK-së dhe të Prokurorit të Shtetit. Për shkak të hetimeve intensive dhe ruajtjes së integritetit të hetimeve në ketë fazë të hetimit nuk mund të shpalosim informata tjera”, është bërë e ditur në njoftim.

IPK-ja ka ftuar secilin qytetar që ka informata lidhur me këtë rast të informojnë Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës ose Prokurorinë e Shtetit./Shqip.com