Lajme

Policët e Kosovës pritet të pajisen me kamera në trup

Policia e Kosovës

Policët e Kosovës shumë shpejt priten të pajisen me kamera në trup.

Kështu është bërë e ditur pas një takimi që ka zhvilluar ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm Fehmi Hoti me drejtoreshën e  INL-it, Tamra Greig.

“Sot, më 16 shtator 2022, ud. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës me stafin e lartë komandues pritën në takim znj. Tamra Greig, drejtoreshë në Zyrën për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL), e cila po ashtu ishte e shoqëruar nga znj. Kimberly Riffe atasheun e DOJ-ICITAP, nga Ambasada e SHBA-së. U diskutuan tema mjaft të rëndësishme me interes në fushën e sigurisë, përfshirë mbështetjen me trajnime të avancuara dhe me projekte të ndryshme, siç është edhe pilot projekti i sistemit të kamerave për trup, ku pritet që zyrtarët policorë në të ardhmen të pajisen me këto kamera”, thuhet në njoftim.

Foto nga takimi

Po ashtu është bërë e ditur se Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë për ta forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tashmë të mira me partnerët ndërkombëtar, e në veçanërisht me INL-in dhe ICITAP-in, të cilëve Policia u është mirënjohëse për mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer.