Lajme

Podujeva ndal ndriçimin publik për të kursyer energjinë elektrike

Ilustrim

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim që për një kohë të pacaktuar të ndalet ndriçimi publik jashtë zonës urbane të komunës, me qëllim të kursimit të energjisë elektrike.

Siç njofton komuna, vendimi është marrë për shkak të krizës energjetike në të cilën ndodhet vendi me reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike dhe shpalljes së gjendjes emergjente nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Duke uruar e shpresuar të përmirësohet shpejt situata e energjisë elektrike në vendin tonë, ju lus për mirëkuptim!”, ka thënë Bulliqi, thuhet në njoftimin e komunës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 29 dhjetor kanë votuar masat emergjente të Qeverisë, për situatën me furnizim me energji elektrike.

Vendimi i Qeverisë u votua në Kuvend me 57 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në mbledhjen e 24 dhjetorit, Qeveria e Kosovës vendosi për masat emergjente në furnizim me energji elektrike do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë./SHQIP.com